Njësia Rajonale Antiterrorizëm në Tiranë ka ndaluar një shtetas turk, i kërkuar ndërkombëtarisht për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste.

Shtetasi, identifikuar si Ibrahim Karaoglu, 67 vjeç, u ndalua gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Rinasit.

Operacioni u realizua si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale mes Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe partnerëve turq, duke intensifikuar kontrollet dhe verifikimet në hyrje/dalje për parandalimin e lëvizjeve ilegale të personave në kërkim ndërkombëtar.

Ndalimi i shtetasit u krye në zbatim të urdhrit të prokurorit, datë 08.08.2017, dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin. Ai akuzohet për veprat penale të përcaktuara nga legjislacioni penal turk: “Tentativa për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “Anëtarësimi në organizatë të armatosur terroriste”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme në kuadër të procedurës së ekstradimit të shtetasit.

Top Channel