Kryetari i Parlamentit të Libanit hedh poshtë mundësinë e paqes me Izraelin: Nuk ka negociata pa ndalim të plotë të luftës

04/05/2026 15:23

Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, deklaroi se nuk mund të ketë negociata me Izraelin pa një ndalim të plotë të luftës.

Berri, aleat i ngushtë i Hezbollahut, theksoi se prioritet mbetet ndërprerja e luftimeve përpara çdo procesi politik.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga katër fshatra të tjerë në jug të Libanit, duke i akuzuar forcat e Hezbollahut për shkelje të armëpushimit dhe duke paralajmëruar veprime ushtarake.

Konflikti u përshkallëzua në fillim të marsit, kur Izraeli ndërmori sulme në Liban me synimin për të goditur Hezbollahun, i cili kishte hapur zjarr përgjatë kufirit në mbështetje të Iran. Nga ana tjetër, Teherani ka argumentuar se çdo marrëveshje për përfundimin e konfliktit duhet të përfshijë edhe Libanin, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se çështjet janë të ndara.

Një armëpushim i arritur në mes të prillit është zgjatur deri në maj, por përplasjet nuk janë ndalur plotësisht. Izraeli vazhdon operacionet në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu raporton për sulme të vazhdueshme ndaj forcave izraelite.

Qeveria libaneze synon një marrëveshje të përhershme që do t’i japë fund ciklit të përshkallëzuar të dhunës, pa hyrë domosdoshmërisht në një marrëveshje formale paqeje. Ndërkohë, Izraeli kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë çarmatimin e Hezbollahut.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka pritur përfaqësues nga të dy vendet për bisedime, është shprehur se ekziston një “probabilitet i lartë” për arritjen e një marrëveshjeje brenda këtij viti. Ai ka propozuar gjithashtu një takim mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit libanez Joseph Aoun.

Megjithatë, Hezbollahu dhe vetë Berri kundërshtojnë zhvillimin e takimeve private në këtë fazë.

Top Channel