Koçiu viziton familjet e dy viktimave në Durrës: Kjo është dhimbje që nuk ngushëllohet. Tragjedia, thirrje e fortë për më shumë përgjegjësi dhe siguri

04/05/2026 12:05

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ishte sot pranë familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre ditën e djeshme në zonën e Ish Kënetës në Durrës.

Në deklaratën e saj, ajo theksoi se tragjedia duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë përgjegjësi institucionale dhe njerëzore, si dhe për respekt të rreptë ndaj rregullave dhe standardeve të sigurisë.

Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.

Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.

Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje”, shprehet zv.kryeministrja.

Top Channel