I afërmi i ministrit nën hetim nga SPAK? Hoxha përplaset me Këlliçin: Nuk më baltos dot. Deputeti i PD: Je në konflikt interesi kur raporton për institucionet e drejtësisë

04/05/2026 14:10

Për më shumë se dy orë ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës dhe maxhorancës lidhur me fazën ku ndodhen negociatat e anëtarësimit në BE, raportin IBAR, por edhe debatin që shkaktoi një editorial i përbashkët i kryeministrit Rama dhe Presidentit të Serbisë, Vuçiç në median gjermane.

Gjatë debatit, deputeti demokrat, Belind Këlliçi e pyeti ministrin nëse është në konflikt interesi kur raportin për institucionet e drejtësisë, për sa kohë SPAK ka marrë nën hetim një të afërm të tij për çështjen e AKSHI-t.

Debati-

Këlliçi: A jeni në konflikt interesi në raport me një vendim të bërë publik nga GJKKO 1 muaj më parë për caktimin e masës së sigurimit pasuror për një sërë personash në skandalin e AKSHI-it ku prokurorët e SPAK kanë bërë regjistrimin e emrave të personave ndaj të cilëve po zhvillohen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Për më shumë mes emrave përmendet edhe zoti Gëzim Hoxha i cili është i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Po flasim për një organizatë e cila është në nivelin më të lartë të organizimit. Nuk mundet që ju të jeni i paanshëm në qëndrimin tuaj që keni në raport me institucionet e drejtësisë dhe në raport me grupkapitullin e parë që ka të bëjë me gjyqësorin, lirinë, drejtësinë dhe sigurinë.

Hoxha: Kam mbështetje të pakushtëzuar për organet e pavarura të drejtësisë. SPAK bën punën e vet dhe unë nuk diskutoj as vendimet e SPAK dhe as të gjykatës. Organet e drejtësisë janë vendosur me konsensus nga Parlamenti. Në lidhje me një hetim të caktuar, që është bërë publik, duhet të keni parasysh që të respektojmë prezumimin e pafajësisë për gjithkënd. Nuk ka pse të më pyesni mua për një gjë që nuk jam i përfshirë, as unë dhe as familja ime e afërme. Nuk kam asgjë me familjen e madhe, fisi im është shumë i madh. Edhe në Malësi të Madhe po të shkojmë, do gjejmë që kam gjysmën fis atje. Lincimi publik, fajësimi kolektiv, baltosja përmes biografisë së keqe, kjo shoqëri e ka lënë mbrapa 36 vite më parë. Nuk kam asnjë lidhje me asgjë në atë dosje dhe nuk ka njeri në botë që të baltosë mua zoti Këlliçi, ju apo kushdo. Mos më përmendni familjarët. Nëse keni gjë për mua, urdhëroni bujrum. Është gjëja më e shëmtuar që kemi pasur dikur që ka qenë dënimi kolektiv për shkak të biografisë së keqe. Nëse e bartim akoma dënimin kolektiv për shkak të biografisë së keqe, kjo s’ka të bëjë me mua, ka të bëjë me ata që i bartin.

Këlliçi: 10 ditë më parë kam bërë publik një mesazh që kur më erdhi, mu desh ta verifikoj. Jam detyruar të nxjerr foto të plota të postimit tuaj, orarin kur e keni fshirë mesazhin dhe kur keni vendosur të dilni zyrtarisht nga grupi i ambasadorëve në WhatsApp. Cili është komenti juaj në raport me këto mesazhe të bëra publike? Për herë të parë në 36 vite kemi të bëjmë me një fyerje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. I qëndroni deklaratës së Ministrisë së Jashtme që mesazhet janë të fabrikuara apo mesazhi është i vërtetë dhe të mbani një qëndrim korrektues dhe për të kërkuar falje publike?

Hoxha: Kam takuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për të dakordësuar me ta që këtu nuk ka absolutisht asnjë gjë për të cilën duhet të shqetësohemi. Pozicionet e mia në detyrën e ministrit, pozicionet e Ministrisë së Jashtme nuk bëhen me sms, Signal, WhatsApp, përveçse me atë që është i autorizuar dhe janë deklarime të cilat janë përmes kanaleve zyrtare. Vetëm ato përbëjnë autoritet.

Top Channel