Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka zhvilluar sot analizën vjetore për vitin 2025.
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Gjykatës Noel Veizi, Inspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani, anëtarët e KLGJ-së, Emona Muçi e Bledar Bajri, Kryeprokurori Elion Mustafaj, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë si dhe aktorë të tjerë të sistemit. Në fjalën e tij, kryetari i gjykatës Noel Veizi theksoi se ky vit ka qenë sfidues për shkak të mungesës së organikës dhe ambienteve të pamjaftueshme të gjykatës.
Gjatë punës në një territor me 6 bashki dhe një popullsi prej 240 377 banorësh, në Gjykatën e Fierit rezulton një rritje e çështjeve të gjykimit të veprave penale 71.5%, ku dhuna në familje ka pësuar rritje duke shënuar treguesit më shqetësues të 5-vjeçarit të fundit, ndërkohë që numërohen një numër i lartë çështjesh të mbartura.
Mungesa e ambienteve, të sallave të gjyqit dhe konsultimit riktheu edhe një herë në vëmendje debatin e nevojës së gjetjes prej 15 vitesh të një sheshi për ndërtimin e një gjykate të re. Kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, Ermal Hamataj theksoi se kjo problematikë duhet të zgjidhet sa më parë.
Gjatë vitit 2025 numri total i çështjeve për gjykim ishte 10764, ndërsa numri total i veprave të gjykuara 5677, ndërkohë që u dënuan 971 shtetas, nga të cilët 17 të mitur.
Top Channel