“Kemi goditur një ‘shkatërrues’ amerikan në Hormuz”/ SHBA i përgjigjet deklaratës së Iranit: Nuk është prekur asnjë anije e Marinës Donald Trump njoftoi se duke nisur nga sot, forcat amerikane do të ndihmojnë në nxjerrjen e sigurt të anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti amerikan e përshkroi këtë si një masë “humanitare” dhe theksoi se Uashingtoni po zhvillon “bisedime pozitive” me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Në postimin e tij Truth Social, Trump paralajmëroi po kështu se çdo përpjekje për të penguar këtë mision do të përballet me reagim ushtarak.
“Nëse ky proces humanitar pengohet, do të duhet të trajtohet përmes forcës,” deklaroi ai. Njoftimi i Trump vjen vetëm pak ditë pasi vendet anëtare të OKB-së “dënuan ashpër” ndërhyrjen e Iranit në transportin detar global, gjatë një takimi në Londër.
Në këtë takim, u miratua një rezolutë e propozuar nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO)- një agjenci e specializuar e OKB-së që rregullon transportin detar-ku nënvizohej se Irani kishte “kërcënuar” mirëqenien e detarëve, përbënte një rrezik të madh për jetën dhe kërcënim serioz për mjedisin detar. Megjithatë, pas votimit, kreu i IMO-së, Arsenio Dominguez, bëri thirrje që fokusi të mbetet tek ndihma praktike për detarët.
“Dua të shpreh njëfarë zhgënjimi me mënyrën se si po i trajtojmë këto çështje,” tha ai, duke shtuar se “20.000 detarët që prej nëntë javësh janë të bllokuar, si dhe 2.000 anijet e bllokuara në ngushticë, nuk ndihmohen vetëm me rezoluta e votime. Irani sakaq reagoi duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se operacioni për shoqërimin e tyre do të përfshijë anije luftarake, mbi 100 avionë dhe rreth 15.000 ushtarë, megjithëse detajet e përdorimit të tyre nuk janë bërë publike. Sipas raportimeve, anijet amerikane do të qëndrojnë në afërsi për të parandaluar sulmet, pa i shoqëruar drejtpërdrejt anijet tregtare.
Top Channel