Lufta në Ukrainë, të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ajrore. Zelensky: Po godasim cisternat e naftës ruse

03/05/2026 17:28

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 76 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa nga Rusia në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët ukrainas, të cilët raportojnë viktima në pesë rajone të ndryshme të vendit. Sipas autoriteteve, nga sulmet u vranë 3 persona në rajonin e Khersonit, 2 në Odesa, 2 në Donetsk, 2 në Zaporizhzhia dhe 1 në Sumy.

Forcat ajrore ukrainase bëjnë të ditur se Rusia lëshoi 269 dronë gjatë natës, nga të cilët 249 u rrëzuan ose u bllokuan. Megjithatë, u regjistruan 19 goditje direkte dhe një sulm me raketë balistike në 15 zona të ndryshme.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina ka goditur disa objektiva strategjikë rusë në kundërsulm. Sipas tij, janë sulmuar 3 anije cisternë nafte, një anije luftarake me raketa dhe një anije patrullimi

Sulmet kanë ndodhur në dy porte ruse, përfshirë terminalin e Primorskit në Detin Baltik dhe portin e Novorossiyskut në Detin e Zi. Zelensky theksoi se cisternat e naftës ishin pjesë e “flotës hije” që Rusia përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Autoritetet ruse konfirmuan se Ukraina ka lëshuar mbi 300 dronë, duke shënjestruar veçanërisht rajonin e Leningradit. Megjithatë, Moska ka minimizuar ndikimin e sulmeve. Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se do të kufizojë ceremoninë e përvitshme të 9 Majit për shkak të asaj që e cilëson si “kërcënim terrorist” nga Ukraina.

Sulmet e fundit tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, me Ukrainën që po rrit goditjet në thellësi të territorit rus, ndërsa Rusia vijon bombardimet ndaj qyteteve ukrainase. Kievi thotë se po godet objektiva ushtarake, ndërsa akuzon Moskën për sulme ndaj civilëve

Top Channel