Zbardhet plagosja e 35-vjeçarit në Fier, shpallet në kërkim 25-vjeçari
Arrestohet në spital për çështjen “Eko-Toxic” një nga të dyshuarit për skandalin e mbetjeve toksike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike Financiare kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Petrit Qosja, 55 vjeç, banues në Elbasan, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Masa ishte caktuar nga Gjykata e Durrësit tre muaj më parë, në kuadër të operacionit “Eko-Toxic”, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë së Durrësit, ekzekutimi i vendimit u krye në ambientet e Spitalit të Elbasanit, për shkak të gjendjes shëndetësore të të arrestuarit.
Ky arrestim lidhet me një hetim të gjerë të Prokurorisë së Durrësit, e cila në fund të muajit janar lëshoi 33 urdhër-arreste në lidhje me skandalin e 2800 ton mbetjeve toksike të kompanisë “Kurum”, të cilat dyshohet se u tentuan të eksportoheshin nga porti I Durrësit drejt Tajlandës.
Ato u kthyen më pas në Shqipëri, pas sinjalizimit të OLAF dhe Rrjetit të Bazelit. Fillimisht u ekzekutuan 20 nga 33 masat e vendosura nga Gjykata, ndaj policia vijon të ekzekutojë masat për personat në kërkim, ndonëse për një pjesë të personave masat e sigurisë janë zbutur në vazhdim.
Sipas dosjes hetimore, Petrit Qosja është nën hetim në cilësinë e agjentit të mbetjeve dhe përfshirjen në transportin ndërkombëtar të mallrave për trajtim, aktivitet që dyshohet se është kryer në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria po vijon hetimet për të çuar në gjykim këtë rast me ndikim të rëndë mjedisor.
Top Channel