Tragjike në Meksikë/ Autobusi i turistëve del nga rruga dhe përmbyset, humbin jetën 11 persona, plagosen mbi 30 të tjerë

02/05/2026 09:13

Të paktën 11 persona humbën jetën dhe më shumë se 30 u plagosën të premten kur një autobus turistik doli nga rruga dhe u përmbys në shtetin perëndimor meksikan të Nayarit.

Autobusi, që transportonte turistë nga shteti i Jaliscos, doli nga rruga dhe u përmbys pranë qytetit të Amatlan de Cañas, thanë autoritetet lokale. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë.

Gjashtë pasagjerë u nxorën të vdekur, ndërsa pesë të plagosur humbën jetën në spital.

Aksidentet fatale të trafikut janë të zakonshme në Meksikë. Shtatorin e kaluar, të paktën 10 persona u vranë dhe më shumë se 60 u plagosën kur një tren mallrash përplasi një autobus me dy kate në Meksikën qendrore.

Në shkurt të vitit 2025, më shumë se 40 persona vdiqën në pjesën jugore të vendit kur një autobus që udhëtonte nga Tabasco në Cancun u përplas me një kamion dhe shpërtheu në flakë.

Top Channel