Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga forcat “Shqiponja” për shkak se tregtonte lëndë të dyshuar kanabis. I riu me iniciale A. H. (H) ka rënë në pranga, teksa një tjetër shtetas është proceduar në gjendje të lirë, pasi bleu një sasi të vogël kanabisi nga 27-vjeçari.
NJOFTIMI I POLICISË – Tiranë/ Goditet nga Forca e Posaçme “Shqiponja” një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike. Shiste lëndë narkotike në rrugën “Petro Nini Luarasi”, vihet në pranga 27-vjeçari.
Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, të cilit iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike, të cilën e kishte blerë nga 27-vjeçari. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis.
Në vijim të kontrolleve intensive me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, kryesisht në afërsi të shkollave, lokaleve dhe ambienteve të ndryshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i veprimeve operacionale, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. H. (H), 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi R. L., banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve 27-vjeçarit u gjet një sasi lënde narkotike cannabis. Ndërsa shtetasit R. L. iu gjet një sasi e vogël e kësaj lënde, të cilën e kishte blerë nga shtetasi A. H. (H).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel