Gjirokastra do “aeroport”/ Fusha ajrore, alternativë më e lirë se aeroporti i ri, por kërkon investime për standardet

02/05/2026 13:01

Gjirokastra rikthehet në vëmendje si një pikë me potencial real për zhvillimin e aviacionit civil në jug të vendit.

Fusha ekzistuese e aviacionit, e njohur prej vitesh për aktivitetet ajrore që janë zhvilluar aty, nga fluturimet sportive deri te evente të ndryshme demonstrative, konsiderohet një bazë e gatshme që kërkon ndërhyrje të mëtejshme për t’u kthyer në funksionale në standarde bashkëkohore.

Aktualisht, infrastruktura kërkon investime konkrete, duke nisur nga mirëmbajtja e barit, rrethimi i plotë i pistës dhe vijëzimi i saj sipas kritereve të sigurisë ajrore. Megjithatë, fakti që kjo hapësirë ka pritur më herët aktivitete ajrore, tregon se ajo ka potencial të provuar dhe mund të rikthehet lehtësisht në përdorim me ndërhyrje të kufizuara.

Në një kohë kur shpesh është diskutuar për ndërtimin e një aeroporti të ri mes Sarandës dhe Gjirokastrës, drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj, thekson se Gjirokastra i ka pothuajse të gjitha elementet bazë gati. Sipas tij, kjo e bën zonën një alternativë më të shpejtë dhe më ekonomike për zhvillimin e transportit ajror në jug, krahasuar me projektet që kërkojnë investime nga e para.

Pozicioni strategjik i Gjirokastër, afërsia me bregdetin dhe rritja e vazhdueshme e turizmit e bëjnë edhe më të rëndësishëm aktivizimin e kësaj fushe aviacioni.

Nëse investimet do të konkretizohen, ajo mund të shndërrohet në një pikë kyçe për fluturime turistike, charter apo edhe shërbime të tjera ajrore, duke i dhënë një tjetër impuls zhvillimit ekonomik të gjithë rajonit jugor.

Top Channel