Gara për shefat e shërbimeve në QSUT/ Përfundojnë intervistat për 9 shërbime, priten emrat zyrtarë nga Ministria

02/05/2026 13:40

Përfundojnë intervistat e profesorëve të mjekësisë që duan të drejtojnë 9 shërbime të rëndësishme në QSUT pas vendeve që u liruan pasi drejtuesit e tyre mbushën moshën e pensionit dhe nuk mund të mbanin më këtë pozicion.

Pasi dorëzuan dokumentacionin me kriteret që duhej të përmbushnin për të drejtuar shërbimet spitalore përkatëse, kandidatët e përzgjedhur janë intervistuar nga një komision i cili kryesohej nga vetë ministrja e shëndetësisë Evis Sala, drejtues të QSUT, e të Universitetit të Mjekësisë.

Kandidatët, një pjesë e të cilëve garojnë për herë të parë për drejtues të shërbimeve, kanë shpalosur idetë dhe vizionin se si mund të drejtojnë ndryshe shërbime të rëndësishme në QSUT. Intervista synon gjithashtu vlerësimin e aftësive profesionale dhe organizative të kandidatëve në drejtimin e strukturave shëndetësore.

E ndërsa pritet të dalin zyrtarisht emrat nga Ministria e Shëndetësisë, dihen fituesit për ata të cilët ishin kandidatë të vetëm në këtë garë pas skualifikimit që u bë me paraqitjen e dokumenteve apo se që në fillim të shpalljes së garës nuk pati të tjerë garues. Rikonfirmohet në krye të Shërbimit të Anestezi Reanimacionit Prof. Dr. Krenar Lilaj, në onkohematologjinë pediatrike Prof. Donjeta Bali, në shërbimin e dializës pediatrike Prof. Diamant Shtiza.

Në Alergologji Prof. Mehmet Hoxha, e kështu me radhë. E vetmja garë është ajo e neurologjisë pasi nuk dihet nëse komisioni ka vlerësuar Dr. Ilirjana Zekën apo Dr. Gentian Vyshkën, pasi të dy kandidatët ishin kualifikuar në garë.

1 Shërbimi i Anestezi Reanimacionit Krenar Lilaj
2 Shërbimi Onkohematologjisë Pediatrike Donjeta Bali
3 Shërbimi i Nefrologjisë dhe Dializës Pediatrike Diamant Shtiza
4 Shërbimi i Alergologjisë Mehmet Hoxha
5 Shërbimi i Dermatologjisë Monika Fida
6 Shërbimi i Toksikologjisë Klinike Irena Marko
7 Shërbimi i Neurologjisë Ilirjana Zekaj /Gentian Vyshka
8 Shërbimi i Onkologjisë Helidon Nina
9 Shërbimi i Reumatologjisë Artur Zoto

Gjatë intervistës, kandidatët paraqesin platformën strategjike katërvjeçare, e cila integron zhvillimin e shërbimit mjekësor, avancimin e mësimdhënies dhe fuqizimin e kërkimit shkencor, me një vizion të qartë, objektiva specifikë dhe të matshëm, si dhe rezultate konkrete të pritshme.

Gjithashtu, paraqitet kuadri për implementimin teknologjik, strategjia për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe modeli për administrimin efikas të shërbimit.

Intervista synon gjithashtu vlerësimin e aftësive profesionale dhe organizative të kandidatëve në drejtimin e strukturave shëndetësore.

Top Channel