Video/ Netanyahu shfaqet në palestër, reagon për shëndetin: Jam në gjendje shumë të mirë fizike

01/05/2026 16:51

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ndaj komenteve për shëndetin dhe moshën e tij duke publikuar një video nga palestra, ku shfaqet duke u stërvitur.

Videoja erdhi pas deklaratave të ish-kryeministrit Naftali Bennett, të cilat ngritën pikëpyetje mbi gjendjen fizike të liderit 76-vjeçar.

Në pamjet e publikuara, Netanyahu shihet duke bërë ushtrime fizike, ndërsa u drejton një mesazh të rinjve për rëndësinë e aktivitetit fizik dhe kujdesit për shëndetin. Ai ndau gjithashtu edhe rutinën e tij ushqimore pas stërvitjes.

Reagimi vjen pak ditë pasi vetë Netanyahu bëri publike se i ishte nënshtruar trajtimit për një tumor malinj në prostatë, i zbuluar në fazë shumë të hershme. Sipas tij, ndërhyrja ka qenë e suksesshme dhe gjendja shëndetësore është e mirë.

Ai sqaroi se problemi u zbulua gjatë një kontrolli rutinë pas një operacioni të mëparshëm për hipertrofi beninje të prostatës në fund të vitit 2024.

Kryeministri izraelit theksoi se vendosi të ndërhyjë menjëherë, edhe pse kishte mundësi për ndjekje pa trajtim të menjëhershëm. “Jam i shëndetshëm, në formë të mirë fizike dhe tumori është trajtuar plotësisht,” u shpreh ai.

Sipas vlerësimit të fundit mjekësor, të gjitha analizat e gjakut dhe testet fizike të Netanyahu rezultojnë brenda normave, ndërsa funksioni kardiak mbetet i qëndrueshëm, pa probleme që nga vendosja e një stimuluesi kardiak në vitin 2023.

Ai pranoi gjithashtu se e kishte shtyrë publikimin e diagnozës për disa javë, për të shmangur, sipas tij, përdorimin e saj për qëllime propagandistike nga Irani.

Top Channel