U raportua i zhdukur një ditë më parë, gjendet i vdekur kandidati republikan për Senatin në Oklahoma

01/05/2026 13:42

Një kandidat për Senatin shtetëror në Oklahoma është gjetur i vdekur vetëm një ditë pasi u raportua i zhdukur, pasi nuk u paraqit në një takim të planifikuar.

Barry Christian, 54 vjeç, ishte në garë për të përfaqësuar Distriktin 38 si kandidat republikan dhe kishte marrë edhe mbështetjen e artistit Kid Rock.

Ai u pa për herë të fundit të martën dhe u raportua i zhdukur të mërkurën, pasi nuk u paraqit në një takim. Të enjten pasdite, automjeti i tij u gjet i përplasur në një humnerë në zonën natyrore Sandy Sanders Wildlife Management Area, pranë qytetit Erick, rreth 20 minuta larg banesës së tij në Sayre.

Bëhej fjalë për një kamionçinë të tipit Dodge Ram 2024, ngjyrë gri e errët, ndërsa pranë mjetit u gjet edhe një pankartë e fushatës së tij.

Trupi i Christian u gjet brenda automjetit, por autoritetet nuk kanë dhënë ende shkakun e vdekjes. Për shkak të aksidentit dhe pozicionit të mjetit, trupi nuk është nxjerrë menjëherë.

Autoritetet theksojnë se rrethanat e vdekjes mbeten ende nën hetim.

Familja e tij ka reaguar e tronditur, duke kërkuar respekt dhe mirëkuptim në këtë moment të vështirë. Vajza e tij, Brooklyn, u shpreh se familja është në gjendje shoku dhe se ende nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur.

Para angazhimit në politikë, Christian kishte një karrierë të gjatë në industrinë e naftës dhe gazit në Oklahoma, ndërsa aktiviteti i tij i fundit publik ishte pjesëmarrja në një event lokal në Mangum.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje kujtdo që ka informacion të kontaktojë policinë lokale.

Top Channel