SPAK, pretencë për “RYDOX”/ Gjashtë vite burg për Shpend Sokolin, hetim i përbashkët me FBI: Vidhnin të dhëna online

01/05/2026 15:21

Prokuroria e Posaçme shpalli pretencën ndaj një të riu nga Kosova, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë ekstraduar më herët drejt SHBA në kulmin e një hetimi të kryesuar nga FBI.

Për Shpend Sokolin, nën akuzë për mashtrim kompjuterik, u kërkua dënimi me 6 vjet burgim, ndërsa ajo që FBI ka hetuar në Ballkan lidhet me tregun e paligjshëm online i njohur si RYDOX.

Hetimi amerikano-shqiptar zbuloi se rrjeti Rydox, aktiv nga 2016, ishte çaktivizuar për pak kohë në 2020 për t’u rihapur sërish. Rydox përmendet në fashikujt që Top Channel i disponon dhe reklamonte RaidForums, një forum online kriminal i cili ofronte shitjen e regjistrave spam, mjeteve për t’i dërguar ato si edhe tutorialet e tyre.

FBI dhe SPAK konstatuan se Rydox ishte një treg i nëndheshëm online. Nga pretenca e lexuar ndaj Shpend Sokolit në Shqipëri u tha se në bazën e të dhënave të Rydox përfshihej informacion për 18 mijë përdorues, ku ishin edhe transaksionet monetare virtuale.

Dy të dyshuarit e tjerë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, janë ekstraduar nga Kosova në Shqipëri, kurse mirëmbajtësi i këtij rrjeti, i cili insiston se nuk dinte asgjë për qëllimet kriminale, u procedua në Gjykatën e Posaçme me gjykim të shkurtuar.

I riu këmbëngul pafajësinë dhe thotë që nuk ka lidhje me këtë çështje. Sokoli hedh poshtë implikimin me dy të ekstraduarit drejt Pensilvanisë, duke insistuar se pasi u kontaktua, puna e tij ka qenë në fushën e programimit sipas shërbimeve të kërkuara.

“Nuk kam pasur asnjë akses në Rydox dhe as në transaksione”, thotë në dosje Sokoli, ndaj të cilit veç mashtrimit dyshohet edhe për grup të strukturuar kriminal.

SPAK thotë se në këtë hetim, ku u ndihmua nga zyra e FBI me seli në Pittsburgh, rezulton se platforma ka ofruar mbi 321,372 produkte të krimit kibernetik.

Top Channel