Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, Emiratete Bashkuara Arabe: Iranit nuk mund t’i besohet për Ngushticën e Hormuzit

01/05/2026 13:35

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se Iranit nuk mund t’i besohet për asnjë marrëveshje që lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për furnizimin global me energji.

Një zyrtar i lartë i Abu Dhabit theksoi se çdo angazhim i njëanshëm nga Teherani nuk është i besueshëm, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në rajon dhe përshkallëzimit të konfliktit.

Ngushtica e Hormuzit vijon të jetë kryesisht e bllokuar prej rreth dy muajsh, ndërsa Irani dhe SHBA-ja kanë vendosur masa kufizuese reciproke. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale, pasi rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalon zakonisht përmes kësaj rruge.

Këshilltari presidencial i Emirateve, Anwar Gargash, u shpreh se vetëm “vullneti ndërkombëtar dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare” mund të garantojnë lirinë e lundrimit në këtë zonë strategjike. Ai akuzoi Iranin për veprime agresive ndaj vendeve fqinje, përfshirë sulme ndaj objektivave të lidhura me SHBA-në në rajon.

Nga ana tjetër, përpjekjet për paqe mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran mbeten në vendnumëro. Bisedimet kanë ngecur, ndërsa presidenti Donald Trump ka shprehur pakënaqësi për propozimet e fundit nga Teherani.

Ndërmjetësimi nga Pakistani nuk ka prodhuar ende një datë të re për negociata, duke lënë të paqartë rrugën drejt një marrëveshjeje dhe rihapjes së plotë të Ngushticës së Hormuzit.

Top Channel