Goditet karteli i drogës në Greqi, kapen 500 kg kanabis në Igumenicë, arrestohet shoferi bullgar. Destinacioni ishte…

01/05/2026 16:04

Një sasi e madhe droge është sekuestruar nga autoritetet greke në portin e Igumenicës, në një operacion të koordinuar kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Sipas policisë greke, e njohur si (EL.AS), janë sekuestruar rreth 500 kilogramë kanabis hidroponik, i njohur ndryshe si “skunk”, një nga sasitë më të mëdha të kapura ndonjëherë në territorin grek.

Droga u zbulua në një kamion me targa bullgare, i cili kishte mbërritur me traget nga Italia dhe kishte si destinacion final Turqia. Shoferi 50-vjeçar bullgar është arrestuar, ndërsa raportohet se nuk po bashkëpunon me autoritetet.

Sipas hetimeve, kamioni transportonte zyrtarisht produkte kuzhine, por mes tyre ishin fshehur pako me lëndë narkotike.

Operacioni u realizua me ndihmën e një qeni antidrogë dhe u organizua nga strukturat e antidrogës në bashkëpunim me rojën bregdetare. Mësohet se kamioni ishte vënë nën vëzhgim prej rreth një muaji, pas informacioneve të siguruara nga autoritetet në Bullgari.

Autoritetet greke bëjnë me dije se pjesa më e madhe e sasisë ishte e destinuar për tregun turk, ndërsa një pjesë më e vogël dyshohet se do të shpërndahej në Greqi.

Vlera e drogës në tregun e zi llogaritet shumë e lartë, për shkak të cilësisë së kanabisit hidroponik dhe sasisë së konsiderueshme të sekuestruar.

Top Channel