20 aplikime për një vend pune, rritet interesi për administratën/ Nga mbi 19 mijë aplikime, vetëm 44.7% u kualifikuan

01/05/2026 15:22

Interesi për të punuar në administratën publike është rritur.

Raporti i DAP tregon se gjatë vitit 2025 ka pasur mesatarisht rreth 20 aplikime për pozicion, për 949 vende të shpallura. Por, nga 19,038 aplikime gjithsej, rezulton se gati gjysma e tyre kanë qenë të vlefshme, pra 44.7% janë kualifikuar për vijimin e procedurave.

Vetëm 654 vende të lira janë plotësuar nga kandidatët që përmbushën kriteret. Departamenti i Administratës Publike nxjerr në pah edhe se një aplikant ka kandiduar mesatarisht për 5 pozicione të ndryshme.

Të dhënat gjinore evidentojnë se më të interesuarat për punë në shtet janë gratë, me rreth 63%.

Mosha mesatare e aplikantëve ka qenë 33 vjeç, ndërsa mosha mesatare e atyre që kërkuan ngritje në detyrë ka qenë 38 vjeç. Krahas punësimit, ka pasur edhe lirime nga detyra: në total për vitin 2025 numërohen 266 raste për nëpunësit.

Arsyeja kryesore është dorëheqja dhe dalja në pension, por përfshihen edhe shkarkime si masa disiplinore apo për shkak të dënimeve me vendim gjykate të formës së prerë. Nga analiza e të dhënave vihet re se gjatë vitit numri total i largimeve nga administrata, krahasuar me vitin 2024, është ulur me 32.8%.

Në tërësi numërohen 36 masa disiplinore për vitin 2025, në forma si mbajtja e pagës deri në 1/3 për 6 muaj, pezullim deri në 2 vite dhe vërejtje.

Raporti i DAP tregon gjithashtu se si kanë nisur procedimet disiplinore, ku më shumë se 66% e rasteve janë rekomanduar nga eprori i institucionit, e më pas nga Drejtoria Antikorrupsion dhe auditi i inspektorëve financiarë.

Top Channel