U ndoq me dron nga lartësia/ Kultivonte fidanë kanabisi, arrestohet i riu në Mirditë

30/04/2026 14:21

Një 27-vjeçar me iniciale K. Gj., banues në fshatin Shënkoll ka rënë në pranga për kultivim të fidanëve të kanabisit.

Në një miniserë të improvizuar, policia gjeti disa platforma polisteroli, në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar si kanabis.

NJOFTIMI I POLICISË – Mirditë/Zhvillohet operacioni i koduar “Faza fillestare”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjenden në pyll, në një miniserë të improvizuar me platforma polistiroli, dhe asgjësohen fidanë Cannabisi.

Arrestohet në afërsi të miniserës, autori i dyshuar i kultivimit të fidanëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve, hetimeve me metoda proaktive dhe punës operative, kryer me objektiv konstatimin që në fazë të hershme dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, zhvilluan operacionin e koduar “Faza fillestare”.

Në kuadër të operacionit, në fshatin Dardhëz, në zonë të pyllëzuar, u gjetën në një miniserë të improvizuar, disa platforma polistiroli në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap në afërsi të vendit ku u gjetën fidanët, dhe u vu në pranga autori i dyshuar i kultivimit të tyre, shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, Lezhë.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel