Ndërron jetë Craig Venter, shkencëtari që deshifroi gjenomin njerëzor dhe ndryshoi shkencën me ADN-në sintetike
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë sot një informim të detajuar mbi opsionet e reja ushtarake kundër Iranit nga komandanti i CENTCOM-it, Admirali Brad Cooper, në një moment të ndjeshëm për situatën në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, në tryezë janë disa skenarë operacionalë që variojnë nga sulme të kufizuara deri te operacione më të gjera ushtarake, ndërsa administrata amerikane po shqyrton hapat e mundshëm në rast se negociatat me Teheranin nuk japin rezultat. Tre burime të njohura me çështjen thonë se CENTCOM ka përgatitur një plan për një seri sulmesh “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj infrastrukturës kritike të Iranit, me synimin për të rritur presionin dhe për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e bisedimeve, me më shumë fleksibilitet për programin e tij bërthamor.
Një tjetër opsion i diskutuar përfshin marrjen nën kontroll të pjesshëm të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit të naftës në botë, me qëllim sigurimin e qarkullimit të anijeve tregtare. Sipas burimeve, një skenar i tillë mund të përfshijë edhe dislokim të forcave tokësore.
Po ashtu, në listën e planeve të shqyrtuara më herët është edhe një operacion i forcave speciale për të siguruar rezerva të uraniumit të pasuruar shumë në territorin iranian.
Trump, sipas të njëjtave burime, ka deklaruar së fundmi se një bllokadë detare mund të jetë “më efektive se bombardimet”, duke e konsideruar atë si një mjet presioni ndaj Teheranit, pa përjashtuar opsionin ushtarak nëse situata përshkallëzohet.
Në diskutime pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Kaine, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi zhvillimet.
Sipas burimeve, një informim i ngjashëm i mbajtur më herët nga Admirali Cooper kishte ndikuar në vendimet e mëparshme të administratës amerikane për veprime ushtarake në rajon.
Top Channel