Tentoi të vriste Presidentin Trump gjatë darkës me gazetarët, 31-vjeçari Cole Allen nuk mohon akuzat, lihet në paraburgim
Një 19-vjeçare nga Tajlanda është arrestuar në aeroportin e Bangkokut pasi u kap duke tentuar të kontrabandonte 30 breshka të mbrojtura, të fshehura nën rrobat e saj.
Sipas autoriteteve tajlandeze të jetës së egër, e reja u bë e dyshimtë për shkak të lëvizjeve të pazakonta ndërsa përgatitej të hipte në një fluturim drejt Taipeit, herët në mëngjes. Kontrolli në terminalin e nisjeve të Aeroportit Suvarnabhumi zbuloi se ajo kishte lidhur pas trupit breshka të rralla, të vendosura në qese prej pëlhure dhe të fiksuara me shirit ngjitës për të shmangur zbulimin.
Autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për breshka indiane yjore, një specie e mbrojtur dhe shumë e kërkuar në tregun e zi për shkak të pamjes së saj karakteristike. Nga 30 breshkat e gjetura, 29 ishin ende gjallë, ndërsa një kishte ngordhur.
Sipas zyrtarëve të doganës, vlera totale e kafshëve të sekuestruara arrin rreth 9 mijë dollarë. Breshkat mbrohen nga Konventa për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara (CITES), e cila ndalon tregtinë e paligjshme të tyre.
19-vjeçarja është akuzuar për transport të paligjshëm të kafshëve dhe mashtrim doganor, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ajo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë kontrabande.
Ekspertët theksojnë se breshkat yjore indiane klasifikohen si specie “të cenueshme”, ndërsa Tajlanda mbetet një nga pikat kryesore të trafikut të paligjshëm të kafshëve të egra në Azi, ku kërkesa për kafshë ekzotike vazhdon të nxisë këtë treg fitimprurës.
Top Channel