Ndërron jetë Craig Venter, shkencëtari që deshifroi gjenomin njerëzor dhe ndryshoi shkencën me ADN-në sintetike
Prokurorët e Parisit po hetojnë një 15-vjeçar i cili dyshohet se ka hakuar agjencinë franceze të identitetit dhe është përpjekur të shesë të dhënat e miliona francezëve në “Dark Web” këtë muaj.
Adoleshenti, identiteti i të cilit nuk u zbulua, u arrestua më 25 prill dhe u mbajt për t’u marrë në pyetje Identiteti i tij dixhital besohet të jetë “breach3d”, një haker i cili ofroi 12-18 milionë rreshta të dhënash të vjedhura për shitje në një forum.
Qasja dhe vjedhja e paligjshme e të dhënave të menaxhuara nga shteti mbart një dënim me burg deri në 7 vjet dhe një gjobë që mund të arrijë në 300,000 euro.
ANTS (Agency Nationale des Titres Securises), agjencia që menaxhon të dhënat personale të qytetarëve francezë dhe lëshon dokumente të tilla si karta identiteti, pasaporta, leje drejtimi dhe targa makinash, konfirmoi se të dhënat e nxjerra në shitje janë autentike dhe i raportoi policisë se zbuloi “aktivitet të pazakontë” në rrjetin e saj më 13 prill. ANTS është gjithashtu përgjegjëse për zbatimin e verifikimit të moshës që synon të parandalojë fëmijët nën 15 vjeç të hyjnë në faqet e rrjeteve sociale.
Më 22 prill, nëntë ditë pas sulmit, agjencia u dërgoi miliona francezëve një email duke i informuar ata dhe duke i këshilluar të ishin shumë të kujdesshëm sepse mund të merrnin telefonata ose email-e të padëshiruara dhe të mos zbulonin informacione personale te të huajt.
Ajo shtoi se ishin marrë të gjitha masat e nevojshme, pa specifikuar se cilat ishin ato.
Sulmi kibernetik ngriti pyetje në Francë nëse është e sigurt të ruhen të gjitha të dhënat e qytetarëve në një bazë të dhënash qendrore.
Top Channel