Inside Story/ Nga viktimë e dhunës në autore krimi, historia e Mirelës që vrau bashkëshortin me sopatë
Këto nuk janë letra të zakonshme…
Janë rrëfime ku krimi dhe pendesa qëndrojnë përballë njëra-tjetrës… njëra që ka shkatërruar, tjetra që nuk e rindërton dot më atë që u humb…
Zarfet duken të zakonshme. Por brenda tyre ka histori që të godasin pa paralajmërim.
Gra që dikur mbanin familje, dhe një moment që i shndërroi në autore krimesh të rënda.
Këto letra, të shkruara me dorë nga brenda burgut të grave në Pojskë, nuk janë thjesht rrëfime personale. Janë pasqyra ku shfaqet njeriu përballë krimit të vet.
Një përballje e vështirë, ku asgjë nuk zbukurohet dhe asgjë nuk fshihet.
Në çdo faqe, është e pothuajse i njëjti rrëfim dhe e njëjta kërkesë.
A mund të ketë një shans të dytë?
“Një mundësi e dytë do të thotë të kem vitet që më kanë mbetur për të shlyer gabimet që kam bërë dhe të jetoj me dinjitet, në paqe me veten dhe me familjen time”, letër nga burgu.
“Duhet të kuptojmë që gratë që kryejnë krime, nuk janë qenie antisociale, janë njerëz si të gjithë ne, që kanë po ashtu një të kaluar, një fëmijëri, një rini, kanë aktualisht edhe një jetë që vazhdon edhe për to, kanë disa kuadro edukuese që fillojnë në familje”, u shpreh Entela Bunjaku, sociologe.
“Historia ka treguar që rikthimi në shoqëri vjen me një stil që këto gra kanë kryer një vepër penale të tillë, kanë ndërmarrë një veprim ekstrem, dhe normalisht rikuperimi i tyre dhe rikthimi në jetën sociale të tillë është i vështirë. Institucionet kanë një rol esencial që nga momenti që përpara se ngjarje e tillë të ndodhi, e deri kur një vepër penale ndodh e më pas kryhet dënimi dhe një grua del pas kryerjes së dënimit”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.
Top Channel