Inside Story/ Nga viktimë e dhunës në autore krimi, historia e Mirelës që vrau bashkëshortin me sopatë
Historitë e dhimbshme nga burgu i grave janë nga më të ndryshmet në serinë e ngjarjeve që ne po i risjellim për herë të parë me dëshmitë e të dënuarave nga burgu.
Dëshmi që bashkohen në linja thuajse të njëjta ndjesish pendese dhe rreze shprese për të vijuar jetën…..
Herë shfaqet ndjesia e braktisjes nga bota, nga jeta, por mbahemi me copëza shprese se diçka do të lehtësohet më tej dhe për hatër të familjarëve dhe fëmijëve po “rezistojmë”.
Kjo është historia e Miranda Markjës…
Një martesë 25-vjeçare, katër fëmijë, një jetë e ndërtuar në vite në një banesë të përbashkët me vjehrrën.
Një bashkëjetesë e gjatë, por e mbushur me tensione, me mosmarrëveshje të vazhdueshme, që sipas dëshmive, kishin kohë që ishin kthyer në rutinë.
Dhe, më 10 prill 2021, një ditë e zakonshme me një drekë familjare, bëhet kapitulli i fundit i një historie të gjatë tensioni familjar.
Në shtëpi ndodhen disa të afërm ku konsumohen biseda, ushqim, një situatë që në pamje të parë nuk paralajmëron asgjë. Por pas largimit të miqve, më pas bashkëshortit dhe djalit të mitur, në shtëpi mbetet vetëm vjehrra dhe nusja. Një debat që përshkallëzohet, nga fjalët tek kërcënimet e më pas tek veprimi që përfundoi në tragjedi….
Sipas dosjes, vjehrra shpreh hapur kundërshtimin ndaj nuses… dhe i thotë se do t’i kërkojë djalit ta largojë nga shtëpia. Referuar dosjes, në këtë moment Miranda largohet, merr një thikë, kthehet dhe i drejtohet vjehrrës: “A do më therësh apo të ther unë”…
Një fjali, që paraprin aktin fatal…
“I ka vendosur thikën në qafë dhe e ka goditur, duke shkaktuar prerje të rënda dhe vdekje të menjëhershme…”
Një goditje e vetme, por fatale… që sipas ekspertizës mjeko-ligjore shkakton dëmtime të rënda në arterie, në inde dhe në strukturën e qafës, duke sjellë gjakrrjedhje masive dhe vdekje të menjëhershme.
Një skenë e dhunshme, në mes të oborrit, brenda hapësirës familjare.
Kur ka mbërritur në oborrin e banesës, bashkëshorti ka konstatuar nënën e tij, Nazmie Markja, të shtrirë në tokë, që ishte e pajetë dhe me shumë gjak të kulluar nga pjesa e qafës.
Pranë saj ka gjetur bashkëshorten, Miranda, që qëndronte e shtangur dhe nuk i përgjigjej pyetjes së tij se çfarë kishte ndodhur. Djali i mitur R. ka filluar të dridhej nga ajo që ka konstatuar dhe e kanë futur në banesë.
“Gratë që kanë kaluar vite të tëra në mjedise ku janë abuzuar apo shfrytëzuar, së pari fillojnë të internalizojnë identitetin e tyre me të qenit viktimë. Perceptojnë botën si një mjedis të dhunshëm ndaj të cilit duhet të gjejnë mekanizma për të mbijetuar. Nga ana tjetër është po ky mjedis që atyre ua ka lehtësuar, si të themi, pranimin e sjelljeve të paligjshme”, u shpreh psikologia Almeida Xhaferri.
“Unë mendoj që kur gratë kryejnë një krim, ky është më shumë një krim dëshpërimi sesa si rezultat i një edukimi të dhunshëm, apo si rezultat i një të kaluare në familje, ku familja nuk ka ushtruar detyrat e saj. Në vetë kulturat shqiptare, familja i edukon fëmijët njësoj”, u shpreh sociologia Entela Binjaku.
Por tragjedia nuk ndalet me krimin. Ajo vazhdon me përpjekjen për ta fshehur atë. Kur bashkëshorti kthehet, përballet me një skenë të rëndë, nënën e pajetë dhe bashkëshorten e shtangur.
Në vend të një reagimi të menjëhershëm ligjor, nis një tjetër fazë. Trupi zhvendoset në banjë, lahet, pastrohen gjurmët e gjakut dhe organizohet ceremonia mortore sikur bëhej fjalë për një vdekje natyrale.
Një zinxhir veprimesh që përfshin disa persona dhe që synon të fshehë të vërtetën. Por e vërteta nuk mbetet e fshehur… Informacionet arrijnë te policia dhe në mbrëmje në shtëpi mbërrijnë efektivët.
Nga burime konfidenciale, shefi i Postës Policore Maqellarë, OPGJ Osman Doçi, ka mësuar se e ndjera ishte vrarë nga bashkëshortja e djalit dhe se nuk kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrore, sikurse ishte përhapur lajmi.
Ai ka marrë kolegun, punonjësin e policisë Mevlan Brahja dhe kanë shkuar në banesën e të pandehurve, me pretekstin për ngushëllim. Punonjësi i policisë Osman Doçi ka ngushëlluar të bashkëpandehurin Sh., të cilit i ka thënë “Të rroni vetë”. Më pas e ka pyetur për bashkëshorten dhe ai i ka treguar se ndodhej në dhomën e gjumit.
Në dhomën e gjumit gjejnë autoren. Dhe përballë tyre ajo pranon krimin….
Në këtë moment Sh. ka shpërthyer në lot. Kur kanë hyrë në dhomën e gjumit, punonjësit e policisë kanë gjetur të shtrirë shtetasen Miranda Markja. Ata janë prezantuar se ishin punonjës të Policisë së Shtetit dhe e kanë pyetur për ngjarjen. E pandehura ka pranuar autorësinë për ngjarjen dhe shërbimet e policisë gjyqësore kanë kryer arrestimin e saj në kushtet e flagrancës.
Një pranim i drejtpërdrejtë, që përforcon të gjithë zinxhirin e provave, nga vendngjarja, tek ekspertizat, tek dëshmitë. Në përfundim të procesit, ku shfaqet e penduar për aktin, Miranda dënohet me 25 vite burg.
Siç mund ta imagjinoni, heqja e lirisë dhe të qëndruarit brenda 4 mureve për kaq shumë kohë, larg familjeve, fëmijëve, miqve, normalisht që është rrënuese, e lodhshme si mendërisht e më tej fizikisht.
Top Channel