Video/ Momenti i sikletshëm në darkën me Mbretin Charles, Melania i heq dorën Trump gjatë fotos me monarkun britanik
Pamje të reja të publikuara nga autoritetet amerikane tregojnë të dyshuarin Cole Tomas Allen duke bërë foto në një dhomë hoteli, pak para sulmit me armë gjatë darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Në fotot shfaqet 31-vjeçari i armatosur në dhomën e tij të hotelit, duke pozuar para pasqyrës me disa armë të lidhura në trup, përfshirë një thikë dhe një çantë me municion.
Prokurorët i dorëzuan këto prova së bashku me detaje të reja mbi veprimet e tij para incidentit të 25 prillit, duke kërkuar që Allen të mbetet në paraburgim deri në gjyq.
Sipas hetimeve, Allen kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike, një armë gjahu me pompë dhe tre thika, teksa kaloi me forcë një pikë kontrolli sigurie gjatë aktivitetit të së shtunës në mbrëmje.
Gjatë incidentit, presidenti Trump, zëvendëspresidenti JD Vance, anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë u evakuuan me urgjencë nga salla e hotelit Washington Hilton, pasi u dëgjuan të shtëna me armë. Një agjent i Shërbimit Sekret u plagos, por jo rëndë.
Sipas memorandumit, rreth orës 20:03, Allen kishte bërë foto të vetes në dhomë duke veshur rroba formale dhe pajisje si mbajtëse arme në shpatull, pincë dhe prerëse telash, të cilat më vonë u gjetën në posedim të tij.
Autoritetet pretendojnë se për rreth 30 minuta më pas, ai kishte kontrolluar disa faqe interneti për transmetime live të darkës dhe për praninë e presidentit. Më pas, ai zbriti drejt sallës ku po zhvillohej aktiviteti.
Prokurorët thonë se Allen kishte hedhur një pallto të gjatë të zezë që fshehte armën e gjahut, përpara se të sulmonte pikën e kontrollit të sigurisë me armën e ngritur. Ai kaloi me vrap përmes detektorit të metaleve duke mbajtur armën me të dyja duart.
Dokumentet e reja zbulojnë gjithashtu se Allen kishte mbajtur shënime në telefon mbi udhëtimin e tij nga Kalifornia drejt Uashingtonit, duke përshkruar edhe peizazhe që kishte parë gjatë rrugës.
Prokuroria e cilëson sulmin si të paramenduar, të dhunshëm dhe të kalkuluar për të shkaktuar vdekje, duke këmbëngulur se ai duhet të qëndrojë në paraburgim pasi përbën rrezik për shoqërinë. Nëse shpallet fajtor, Allen rrezikon burgim të përjetshëm.
Top Channel