Një tërmet me magnitudë 4.9 ballë të shkallës Rihter u regjistrua mesditën e së martës në zonën e Skiathos, vetëm pak kohë pas lëkundjes së parë prej 4.7 Rihter që u shënua në orën 14:12 me orën lokale.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, epiqendra e tërmetit të parë ishte në perëndim-veriperëndim të ishullit, me thellësi rreth 12 kilometra.

Pas kësaj, u regjistruan edhe disa lëkundje më të vogla, me magnitudë 2.5 dhe 3.3 Rihter, ndërsa në orën 16:07 u shënua një tjetër tërmet më i fortë, me magnitudë 4.9 Rihter. Epiqendra e kësaj lëkundjeje u lokalizua rreth 8 kilometra në perëndim të Skiathos, me thellësi 14.1 kilometra.

Tërmetet u ndjenë në ishujt e Sporadeve Veriore, në qytetin e Volosit, por edhe në zona të Atikës, duke shkaktuar shqetësim te banorët. Megjithatë, deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale.

Sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dhjetëra lëkundje sizmike në këtë zonë, ndërsa më të fortat mbeten ato prej 4.7 dhe 4.9 Rihter.

Ndërkohë, sizmologu Gerasimos Papadopoulos ka bërë thirrje për kujdes, duke theksuar se pas lëkundjes së fundit, tërmetet e mëparshme mund të konsiderohen si pararendëse dhe se situata duhet të vlerësohet me kujdes nga ekspertët.

Top Channel