“Hyra me disa armë me vete dhe askush nuk dyshoi”/ Mesazhi që agresori i dërgoi familjes 10 minuta para sulmit në Uashington: Nuk është sjellje e krishterë kur…

26/04/2026 20:16

Personi i armatosur që hapi zjarr në darkën e Trump me gazetarët, Cole Allen, dyshohet se u kishte dërguar anëtarëve të familjes një mesazh me përmbajtje kërcënuese 10 minuta para se të vepronte. 

Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, në këtë dokument ai e përshkruante veten si “Vrasësi Federal Miqësor” dhe shprehte synimin për të sulmuar zyrtarë të administratës Trump.

Në mesazh, Allen përmendte si objektiva “zyrtarë të administratës”, duke i renditur sipas prioritetit. Një zyrtar amerikan tha se dokumenti ishte dërguar rreth 10 minuta para të shtënave.

“Gjëja e parë që vura re duke hyrë në hotel ishte ndjenja e arrogancës. Hyra me disa armë me vete dhe askush nuk dyshoi”, kishte shkruar ai.

Ai përdorte gjithashtu gjuhë të ashpër dhe akuza të rënda ndaj presidentit, ndërsa pretendonte se veprimet e tij kishin motive ideologjike dhe politike.

Në dokument, Allen përmendte edhe mënyrën e përdorimit të armëve, duke pretenduar se synonte të minimizonte viktimat, megjithëse pranonte se ishte i gatshëm të shkaktonte dëme më të mëdha për të arritur objektivat e tij.

“Të kthesh faqen tjetër është kur vetë je i shtypur. Unë nuk jam personi i përdhunuar në një kamp paraburgimi. Nuk jam peshkatari i ekzekutuar pa gjyq.

Nuk jam një nxënës shkolle i hedhur në erë, apo një fëmijë i uritur.  Të kthesh faqen tjetër kur ‘dikush tjetër’ është i shtypur nuk është sjellje e krishterë, është bashkëfajësi në krimet e shtypësit”, shkruante ai në letër.

Ai iu referua disa herë besimit të tij të krishterë, duke e justifikuar veprimin si reagim ndaj padrejtësive të perceptuara. Po ashtu, përmendi çështje politike, përfshirë politikat ndaj emigracionit dhe operacionet kundër trafikut të drogës.

Sipas autoriteteve, dokumenti u dorëzua në polici nga një i afërm i tij.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, deklaroi se hetuesit besojnë që Allen kishte udhëtuar me tren nga Los Angeles drejt Uashingtonit, përmes Çikagos, ndoshta për të shmangur kontrollet më të rrepta të udhëtimeve ajrore.

Top Channel