“S’kemi iluzione”, palestinezët votojnë në Gaza, e para herë që nga fillimi i luftës

25/04/2026 13:17

Palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gaza kanë dalë sot për të votuar në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilla bashkiake, të parat që nga fillimi i luftës në Gaza.

Ky proces zhvillohet në një atmosferë zhgënjimi të gjerë dhe me mundësi të kufizuara për të zgjedhur. Rreth 1.5 milion persona janë regjistruar për të votuar në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa rreth 70 mijë në zonën Deir el-Balah në Gaza, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor në Ramallah. Shumica e listave janë të lidhura me Fatahun, partinë nacionaliste dhe sekulare të presidentit Mahmoud Abbas, ose janë të pavarura, ndërkohë që asnjë listë nuk ka lidhje me Hamasin, i cili kontrollon pjesë të mëdha të Gazës dhe është përgjegjës për sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 që shkaktoi luftën e fundit. Banorët shprehin një skepticizëm të dukshëm.

Një qytetar i Tulkarmit tha se do të votojë “pa iluzione”, duke theksuar se as kandidatët e pavarur dhe as ata partiakë nuk do të ndryshojnë realitetin e qytetit, i cili është ende nën kontrollin e okupimit izraelit. Në disa qytete të mëdha si Nablus dhe Ramallah, garon vetëm një listë kandidatësh, duke kufizuar zgjedhjet në praktikë. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00 në Bregun Perëndimor, ndërsa në Deir el-Balah votimi do të përfundojë më herët për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përshëndetur mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si një mundësi të rëndësishme për palestinezët që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike në një moment të vështirë. Në Gaza, që është nën kontrollin e Hamasit që nga viti 2007, këto janë zgjedhjet e para që nga ato parlamentare të vitit 2006. Analistët i konsiderojnë zgjedhjet në Deir el-Balah si një “eksperiment” për të testuar mundësinë e zgjedhjeve më të gjera në të ardhmen.

Presidenti Mahmoud Abbas është në pushtet që nga viti 2005, ndërsa premtimet për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare nuk janë realizuar.

Top Channel