Pas bisedimeve, ministri i Jashtëm iranian largohet nga Islamabadi Edhe një herë, bisedimet për fundin e luftës SHBA-Iran në Islamabad po rrethohen nga paqartësia. SHBA thotë se delegacioni i saj, me në krye të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, shkon sot në kryeqytetin pakistanez; ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, është tashmë atje, por Teherani insiston se vizita është pjesë e një turi rajonal me tre ndalesa dhe se nuk ka në plan të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta me palën amerikane.
Araghchi është takuar tashmë me kreun e forcave të armatosura të Pakistanit, Asim Munir, dhe thotë se pas kësaj do të udhëtojë drejt Omanit dhe Rusisë “për konsulta mbi zhvillimet rajonale”. Pala iraniane, ndërkohë, ka paraqitur kërkesat dhe shqetësimet para ndërmjetësve pakistanezë në lidhje me propozimet e Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimeve, Irani vazhdon të insistojë që amerikanët të vendosin një fund të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit si kusht paraprak për hapjen e raundit të dytë të negociatave. E ndërsa përpjekjet diplomatike për një zgjidhje të konfliktit vazhdojnë, në të njëjtën masë vijon edhe presioni amerikan për t’i detyruar kundërshtarët të bëjnë lëshime.
Administrata amerikane vendosi të ngrijë 344 milionë dollarë në kriptovaluta të lidhura me Iranin, e pohuar kjo nga sekretari i Thesarit të Uashingtonit, Scott Bessent, i cili shkroi në X se “po monitorojmë paratë që Teherani po përpiqet me dëshpërim t’i nxjerrë nga vendi dhe po shënjestrojmë të gjitha linjat e financimit të lidhura me regjimin”, siguroi Scott Bessent në mesazhin e tij. Qëllimi, sipas tij, është të goditet në mënyrë sistematike aftësia e Iranit “për të gjeneruar, lëvizur dhe rikthyer fonde.
Top Channel