“Pushtetit vendor po i merren kompetencat”, ministri Demo i përgjigjet Pjerin Ndreut: S’do biem gjithmonë dakord me bashkitë

24/04/2026 10:42

Kritikave se po uzurpohen kompetencat e pushtetit vendor nga Reforma Territoriale, ministri Ervin Demo iu përgjigj sot pas mbledhjes së qeverisë.   

Për tre shqetësimet e ngritura nga kryetari i bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, së pari centalizimi i ujësjellësit, stacionet e plazheve që do menaxhohen nga ministria dhe së treti kufizimi i bashkive për të dhënë leje ndërtimi mbi 6 kate, Demo tha se komisioni do adresojë çdo mendim. Ministri tha se “qeveria qendrore nuk do të bjerë gjithmonë dakord me bashkitë”.

Së pari, më vjen mirë që ky proces ka filluar. Kemi qenë të interesuar që ky proces të fillonte shumë më parë. Mendimet e të gjithë aktorëve por jo vetëm, të gjithë të jenë të përfshirë dhe të japin qëndrimet e tyre sa i përket reformës dhe për ato që janë konstatuar në 10 vitet e fundit. 

Ka shumë për të diskutuar për çështjet që kryetari i bashkisë Lezhë ka ngritur. Komisioni është aty për të adresuar disa elementë që kanë të bëjnë me funksionet e bashkive. Kuptohet që qeveria qendrore nuk do të bjerë gjithnjë dakord me bashkitë, është normale.

Ajo që duhet të garantojmë është që bashkitë duhet me ato çfarë kanë, kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji, bashkitë të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më të mira në territor. Besoj që do të dëgjojmë shumë kryetarë dhe aktorë të tjerë në territor që mund të kenë qëndrime të ndryshme për reformën apo elementët”, tha Demo.

Top Channel