Gjykata e Posaçme e Apelit shtyn seancën për Erion Veliajn, avokati Ndreca: Praktikë antikushtetuese, kishte parregullsi firma

24/04/2026 12:12

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë shqyrtimin e një ankimi të bërë nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, mbi shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Shkak i dështimit të seancës, ka qenë një parregullsi në njoftimin e Veliajt, raporton për Top Channel, gazetarja Anila Hoxha. Çështja do të shqyrtohet më 29 prill.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca dha një prononcim për gazetaret ku u shpreh se nuk ka asnjë arsye përse të pezullohen afatet e paraburgimit.

Ndreca: Mmendoj që është një praktikë absurde antikushteuese dhe antikonventore dhe kjo është arsyeja që na bëri që të investojmë në Gjykatën e Apelit për të verifikuar këtë lloj vendimmarrje që bëri Gjykata e Shkallës së parë në seancën e datës 24.03.2026.

Pyetje: Avokat a morët përgjigje se përse nuk ishte njoftuar klienti juaj në procesin e mëparshëm dhe a ka marrë masa drejtoria e përgjithshme e burgjeve?

Ndreca: Jo nuk kam marrë informacion të tillë. Sot ishte njoftuar klienti, por u shty për shkak të një parregullsie që ishte tek ….nga ana e drejtuesit të institucionit të paraburgimit. Kjo ishte arsyeja që u shty sot ndërsa për seancën tjetër nuk kam informacion.

Pyetje: Cila ishte shkelja që ishte sot…

Ndreca: Mund të them që ishte një, s’po them shkelje, por ishte një parregullsi në mënyrën se si është firmosur dhe për të mos u bërë shkak që cenohet vendimi gjykata vendosi që ta shtyjë me 4 ditë. Patjetër që kemi një përllogaritje të këtyre afateve, por ajo që është më e rëndësishmja dhe më themelore është ndryshimi i kësaj praktike e cila po dëmton jo vetëm zotin Veliaj por me ç’duket dhe me ç’kam kuptuar nga praktika që është instaluar po dëmton të gjithë paraburgosurit të cilët nuk kanë arsye pse t’u pezullohet paraburgimi për sa kohë që avokati i tyre apo ata personalisht vetë nuk kanë shkaqe të paligjshme për shtyrjen e seancave.

Top Channel