Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Afrim dhe Ali Cimili, babë e bir, për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Hysen Mërnica.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetsit A.C.dhe A.C. (babë e bir) për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga nenet 78, 25, 22 dhe 278, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.474, rezultoi e provuar se të pandehurit A.C dhe A.C, për shkak të një konflikti të mëparshëm midis të pandehurit A.C (i biri/djali) dhe viktimës H.M, në drejtimin e dy automjeteve të ndryshme, i kanë zënë pritë viktimës H.M, i cili po lëvizte me një motomjet së bashku me nënën e tij S.M, duke e qëlluar 9 (nëntë) herë gjatë kohës që ishin në lëvizje me automjetet respektive.

Konkretisht, i pandehuri A.C., pak përpara se të ndodhte ngjarja ka qenë së bashku me të atin e tij, të pandehurin A.C. Gjatë kësaj kohe janë shkëmbyer në rrugë me viktimën H.M dhe konstatuar itenerarin e tij të lëvizjes. Në këto rrethana, dy të pandehurit së bashku kanë përgatitur kushtet për kryerjen e veprës penale dhe kryer atë. I pandehuri A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Toyota”, ka qëlluar me armën zjarri  kundrejt viktimave, kurse i pandehuri tjetër A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Mercedes-Benz”, ka qëlluar me armën tip pistoletë kundrejt viktimave.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Top Channel