Raporti i Qeverisë për negociatat me BE/ Korrupsioni në nivelin e lartë, 6 hetime të reja në 2025, u dhanë 5 dënime përfundimtare
Deputeti demokrat, Klevi Balliu në interpelancën e thirrur me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi pretendoi se kompania shtetërore e krijuar për krijimin e armëve po përdoret për afera korruptive.
Ministri u përgjigj duke shpjeguar se kompania shtetërore në fjalë bashkëpunon me kompani private ndërkombëtare si dhe nxit investime nga ato për prodhimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake. Ai më tej tregoi se Shqipëria nëpërmjet kompanisë ka siguruar marrëveshje me shtetin e Izraelit për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së fundit që garanton sigurinë e forcave tokësore të ushtrisë shqiptarë.
Pjesë nga debati:
Balliu: Këtë interpelancë e kam kërkuar sepse ka të bëjë me interesin kombëtar, i cili sot po cënohet vetëm për interesa korruptive dhe afera korruptive, tanimë jo nëpërmjet një kompanie apo një tjetër, por nëpërmjet krijimit të një kompanie shtetërore e cila bashkëpunon me kompani të tjera private për të ndërtuar afera korruptive. Kjo është kompania KAYO.
Kjo interpelancë bëhet për të kërkuar sqarime mbi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë, paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe reputacionin e vendit tonë brenda NATO-s. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kuptojë se çfarë po ndodh me paratë dhe sigurinë e tij.
Nufi: Është rast shumë i mirë të prezantoj detyrat e shoqërisë KAYO. KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por qëllimi i saj është të ketë një funksion holding, pra të bashkëpunojë me kompanitë e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore. Fusha e ushtrisë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është e vërtetë që edhe në vende të tjera ka kompani private që prodhojnë, janë private jo shtetërore. KAYO është themeluar në vitin 2024. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës. Ka vende në BE që sot kanë prodhuesin dhe rregullatorin që bashkëpunojnë, pra nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Qëllimi i KAYO-s është rijetëzimi i industrisë ushtarake shqiptare, si një angazhim që Shqipëria duhet ta marrë si anëtare e NATO-s.
Industria ushtarake është ndër fushat më të vështira sepse mbart një kontroll shumë të lartë dhe mbart garanci të shtuara ligjore për sa kohë blerja, tregtimi dhe prodhimi i armëve dhe pajisjeve rregullohet gjithmonë në marrëdhënie shtet me shtet. Konglomeratat më të mëdha në botë janë private dhe jo shtetërore që angazhohen nga qeveritë. Shqipëria nuk është vend që nuk e njeh prodhimin ushtarak, në të kaluarin kemi qenë thellësisht të angazhuar në prodhimin e armëve apo municioneve, kemi pasur 3 impiante të jashtëzakonshme që kanë shërbyer për sigurinë kombëtare.
Sot konfliktet në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme tregojnë se sa e rëndësishme është që një shtet të ketë në dispozicion armë dhe sisteme sigurie dhe këtu nuk përjashtohet as Shqipëria.
Kemi një marrëveshje me shtetin e Izraelit, për prodhimin e dronëve luftarakë, produkte të cilat ky shtet i ka të provuara. Këto janë dronë të teknologjisë së fundit të cilët do të garantojnë sigurinë e forcave tokësore, të djemve dhe vajzave që shërbejnë. Pra po krijojmë mundësitë që të mos varemi nga importi, por nga prodhimi ynë.
Top Channel