Inside Story/ Katër dekada mbi traktor, fermeri i ‘bukës’: 60 hektarë me grurë i përmbyti Erzeni, asnjë kompensim…

22/04/2026 22:07

Në fshatin Jubë të Durrësit, tre vëllezërit Balla gjithë jetën ia kanë kushtuar bujqësisë.

Aktualisht ata kanë mbi 300 ha, nga të cilat 170 ha i kanë në pronësi, ndërsa pjesën tjetër e marrin me qira. Flamuri, më i madhi prej tyre, thotë se ka më shumë se 40 vite në traktor.

“Kemi probleme nga më të ndryshmet, merremi kryesisht me grurë, misër, jonxhë e fasule”, u shpreh fermeri, Flamur Balla.

Asnjëri prej 3 vëllezërve nuk e ka parë si mundësi emigrimin, por kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen mbi tokën e të parëve. Në disa periudha bujqësia për ta ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, të cilat i kanë riinvestuar në blerjen e makinerive të ndryshme. Problemi është se ata po përballen me mungesë të fuqisë punëtore.

“Është e vështirë me gjetur punëtorë, ja ku janë makineritë, por nuk vjen njeri të punojë”, u shpreh fermeri, Flamur Balla.

Përmbytjet e janarit 2026 u shkaktuan një dëm të konsiderueshëm. Ata kishin mbjellë rreth 100 ha me grurë, por 60 prej tyre i mori Erzeni… Kjo është ajo që ka mbetur pas.

“Erdhën, i panë, i bënë dokumentet, matjet, por ende nuk kemi marrë asgjë… Të shpresojmë”, u shpreh fermeri Flor Balla.

Vëllezërit Balla thonë se rrallë kanë aplikuar për të përfituar nga skemat mbështetëse, për shkak të kufizimeve që ato kanë. Mungesa e dokumentacioneve bën që shpeshherë të aplikojnë të zotët e tokës për skemë, dhe jo fermerët që e kanë me qira dhe e mbjellin.

“Nuk e besoj se do të aplikojmë, kanë shumë dokumentacione. Më shumë humbim kohë, ndërkohë bujqësia nuk ka kohë për të humbur”, u shpreh fermeri Flor Balla.

Këta fermerë që kultivojnë grurë, një produkt që paradoksalisht ne e marrim me shumicë nga importi, e shohin zhgënjyese edhe skemën e mbështetjes me 10 mijë lekë për hektar. Kjo skemë, për ta, mbetet edhe më e pakuptimtë në kulmin që prodhoi kriza në Lindjen e Mesme, një krizë që ndikoi në rritjen drastike të çmimeve të naftës dhe plehrave kimike.

Përballë fatkeqësive natyrore dhe krizave të njëpasnjëshme, sektori mbetet pothuajse pa mbrojtje. Dëmet nga përmbytjet apo sëmundjet në blegtori shpesh nuk kompensohen, duke e shtyrë fermerin drejt braktisjes së aktivitetit.

“Fatkeqësitë natyrore, luftërat apo krizat nuk kanë qenë vetëm për fermerët dhe blegtorët e Shqipërisë. Ato kanë qenë po ashtu edhe për fermerët dhe blegtorët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë apo dhe gjithë Europës.

Por prandaj është shteti aty, shteti është garanti që kompenson fatkeqësitë natyrore dhe pastaj u jep mundësinë fermerëve të mos e braktisin tokën, dhe ata të jenë aty për të prodhuar”, u shpreh presidenti, Urdhri i Veterinerit, Ervin Resuli.

Top Channel