Një kapitull i ri nis për Apple. Kompania ka emëruar John Ternus si drejtorin e ri ekzekutiv, duke zëvendësuar Tim Cook, i cili largohet nga posti pas 15 vitesh në krye.

Ternus, aktualisht kreu i inxhinierisë së pajisjeve dhe pjesë e Apple prej 25 vitesh, do të marrë detyrën më 1 shtator. Ndërkohë, Cook do të kalojë në rolin e kryetarit ekzekutiv, duke ndihmuar në tranzicion dhe në angazhimet strategjike të kompanisë.

Cook drejtoi Apple që nga viti 2011, pasi bashkëthemeluesi Steve Jobs u tërhoq për arsye shëndetësore. Gjatë drejtimit të tij, kompania u kthye në një nga më të vlefshmet në botë, duke arritur fillimisht vlerën 1 trilion dollarë në vitin 2018 dhe sot rreth 4 trilionë dollarë.

Në deklaratën e tij, Cook e cilësoi Ternusin si një drejtues “vizionar” dhe “personin e duhur për të udhëhequr Apple drejt së ardhmes”. Nga ana tjetër, Ternus e quajti Cook “mentor” dhe u shpreh optimist për sfidat që e presin.

Gjatë karrierës së tij në Apple, Ternus ka qenë i përfshirë në zhvillimin e produkteve kryesore si iPhone, iPad, AirPods dhe Apple Watch, si dhe në kalimin e kompjuterëve Mac drejt çipave të prodhuar nga vetë kompania.

Ndryshimi në krye vjen në një moment kyç për Apple, e cila është përballur me kritika për mungesë inovacioni dhe varësi të lartë nga iPhone. Analistët theksojnë se emërimi i një drejtuesi me fokus në harduer mund të sjellë një valë të re produktesh, përfshirë pajisje të avancuara dhe integrim më të thellë të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, figura të njohura të teknologjisë si Sam Altman kanë vlerësuar kontributin e Cook, duke e cilësuar atë “një legjendë” për rolin e tij në transformimin e Apple në një superfuqi globale.

Top Channel