Përhapja e panikut me lajme për infektimin me HIV/AIDS të kryebashkiakut të Gjirokastrës dhe punonjësve, institucioni merr masa ligjore

20/04/2026 13:21

Qytetarët e Gjirokastrës janë përballur ditët e fundit me një valë paniku, pas përhapjes së lajmeve në rrjetet sociale mbi një situatë të pretenduar të përhapjes së HIV/AIDS.

Në qendër të këtyre aludimeve janë vendosur kryetari i bashkisë dhe disa punonjës të institucionit, çka ka rritur më tej shqetësimin në opinionin publik.

Menjëherë pas publikimit të këtyre pretendimeve, avokati i kryebashkiakut të Gjirokastrës, Arben Llangozi, i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë, ku ka depozituar një kallëzim penal, duke i cilësuar këto lajme si shpifje dhe të pavërteta që dëmtojnë imazhin e personave të përfshirë, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.

Nga ana tjetër, pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik janë kryer rreth 250 analiza gjatë tre muajve të fundit, të cilat, sipas drejtorit të këtij institucioni, kanë rezultuar të gjitha negative.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformimit dhe të referohen vetëm tek burimet zyrtare për informacione të sakta mbi çështje kaq të ndjeshme.

Top Channel