“Gra dhe fëmijë të goditur nga kriza”/ OKB dhe BE raport të përbashkët për dëmet e shkaktuara në Gaza: Duhen mbi 71 miliardë dollarë për rindërtim

20/04/2026 19:07

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vlerësojnë se nevojat për rindërtimin e Gaza gjatë 10 viteve të ardhshme arrijnë në 71.4 miliardë dollarë.

Sipas një studimi të përbashkët të kryer me Banka Botërore, dëmet, humbjet ekonomike dhe nevojat për rehabilitim pas 24 muajsh konflikti kapin këtë shifër, ndërsa rreth 26.3 miliardë dollarë do të nevojiten vetëm në 18 muajt e parë.

Këto fonde fillestare do të përdoren për rivendosjen e shërbimeve bazë, rindërtimin e infrastrukturës kritike dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike. Raporti thekson se dëmi material në infrastrukturë vlerësohet në 35.2 miliardë dollarë, ndërsa humbjet ekonomike dhe sociale arrijnë në 22.7 miliardë dollarë.

Sektorët më të prekur janë strehimi, shëndetësia, arsimi, tregtia dhe bujqësia.

Konflikti në Gaza nisi pas sulmit të Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku sipas të dhënave zyrtare humbën jetën 1,221 persona në anën izraelite, shumica civilë. Nga ana tjetër, ofensiva izraelite ka shkaktuar të paktën 72,549 viktima në Gaza, kryesisht civilë, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet shëndetësore lokale, të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.

Raporti evidenton gjithashtu shkallën e shkatërrimit: mbi 371,000 shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar, më shumë se gjysma e spitaleve janë jashtë funksionit dhe pothuajse të gjitha shkollat janë dëmtuar rëndë. Ekonomia e territorit është tkurrur me rreth 84%.

Rreth 1.9 milionë njerëz janë zhvendosur, shpesh disa herë, ndërsa më shumë se 60% e popullsisë ka humbur shtëpitë e saj.

Raporti thekson se gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe grupet e tjera të cenueshme janë më të goditurit nga kriza.

Top Channel