“Ejani se kam vrarë gruan”, policia e Patosit alarmohet pas telefonatës, në vendngjarje përballet me… një të dehur

20/04/2026 15:18

Orë paniku sot në Patos.

Një telefonatë ka alarmuar blutë e Fierit, pas njoftimit në sallën operative të një personi, i cili ka lajmëruar se ka vrarë gruan në Dukas të Patosit.

Korrespondenti i “Top Channel”, Neritan Trifoni bën me dije se menjëherë efektivët e policisë së Patosit dhe të Fierit kanë marrë masat duke shkuar në vendngjarje.

Por pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se personi në fjalë ishte i dehur dhe lajmi nuk ishte i vërtetë, për fat të mirë.

NJOFTIMI I POLICISË 

Fier/Informacion paraprak. Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier, ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, i cili ka deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. T., 64 vjeçe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë kontaktuar me telefonuesin.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. T., në gjendje të dehur, kishte bërë një njoftim të rremë. Shtetasja Sh. T. u gjet në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin S. T. në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Top Channel