Debat për mësuesin që ndërroi jetë/ Opozita akuza ministres në komision për Alban Bejlerin, reagon ashpër Kumbaro

20/04/2026 20:01

Komisioni për Edukimin nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të mësuesit 52-vjeçar Alban Bejleri.

Humbja e mësuesit korçar që përshkonte shpeshherë 8 km në këmbë për të mësuar vetëm 2 nxënës, përplasi demokratin Luçiano Boçi me ministren e arsimit Mirela Kumbaron.

“Për mua nuk është vdekje natyrale. Është vrasje e ngadaltë, është neglizhencë, hakmarrje politike”, u shpreh Boçi.

Për opozitën ka munguar reagimi institucional në kohë, ndërsa ministrja Kumbaro deklaratat i cilësoi vrasje për herë të dytë.

“Akuzat janë shumë të rënda, kur janë edhe politike bëhen edhe më të rënda dhe të papranueshme. Nuk pranoj asnjë prej tyre kur ne po merremi me familjen me dinjitet edhe për dy fëmijët e tyre. Por nuk bëjmë show”, u shpreh Kumbaro.

“Po, vrasje nga shpërfillja, sepse nuk keni dëgjuar shqetësimet për të ndërruar shkollë”, tha Boçi.

Kumbaro kërkon që denoncimi i PD ti drejtohet sistemit të drejtësisë, kur Boci i përmendi mosmarrjen në konsideratë ankesat e mësuesit për probleme shëndetësore.

“Shkoni te organet e akuzës. Nuk pranoj asnjë nga fjalët e rënda qoftë ndaj meje apo ndaj sistemit arsimo”, u shpreh Kumbaro.

“Nuk thashë që e keni vrarë ju. Mos bëni rolin e viktimës”, tha Boçi.

Ministrja e arsimit ishte thirrur në mbledhje për projektligjin e transformimit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Agjenci të pavarur, që sipas opozitës po shkel standardet e BE.

Top Channel