Berisha akuza ndaj Dumanit: Kam prova, falsifikoi pronësinë. Flet për “Partizanin”, përmend edhe Ramën si dëshmitar

20/04/2026 15:30

Në paraqitjen e tij të radhës, ish-kryeministri Sali Berisha nuk i la akuzat e tij vetëm në letrën tradicionale tashmë që e firmos dy herë në muaj.

Berisha akuzoi ish-kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, për një falsifikim gjatë blerjes së një apartamenti. Berisha tha se PD disponon prova dhe ndaj truprojës së prokurorit të posaçëm, që sipas ish-kryeministrit i ka shërbyer interesave të një ndërtuesi me lidhje familjare me Dumanin.

Berisha nuk ishte i prerë nëse do t’i depozitojë apo jo këto prova në prokurori.

“Detyra ime si politikan është të bëj denoncimin publik, të mbroj interesin publik. Natyrisht, është dërguar dhe do dërgohet në SPAK, por shpresat që në këtë institucion të bëhet drejtësi ndaj njëri-tjetrit janë afër zeros”, tha Berisha.

E ndërsa në dosjen “Partizani” do të thirret si dëshmitar edhe kryeministri Edi Rama, Berisha, i pandehur në këtë gjykim, dha mesazhin e tij për Ramën:

“Do jetë përballja e shekullit, aty do t’u dëgjojë shqiptarëve unë të gjithë korrupsionin e Ramës edhe bëhu burrë dhe hajde në sallë të gjyqit, përndryshe nëse nuk ta mban, të zgjedhë studiot televizive, jam gati në debat dhe atëherë të konsideroj tërheqjen e kërkesës si dëshmitar, përndryshe do vij dëshmitar në sallën e gjyqit”, tha Berisha.

Seanca e themelit në dosjen “Partizani” mbahet në 30 prill, ku do të dëgjohen dëshmitarët e parë të kërkuar nga SPAK, mes tyre dhe Taulant Balla në rolin e kallëzuesit.

Top Channel