Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e sotme në Kukës, ku një këmbësor ka humbur jetën.
Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional Kukës–Bicaj, në afërsi të Aeroportit të Kukësit. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Passat” me targa AB475SG ka përplasur një këmbësor, duke e hedhur në xhamin e përparmë të makinës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, këmbësori ka pësuar dëmtime të rënda. Edhe pse iu dha ndihma e parë mjekësore, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportimit për në spitalin e Kukësit.
“Rreth orës 13:30, në aksin rrugor Bicaj – Kukës, shtetasi F. B., 56 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur këmbësorin, shtetasin I. H., 64 vjeç, banues në fshatin Bicaj. Si pasojë, 64 vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët bënë shoqërimin e drejtuesit të mjetit për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti fatal.
Top Channel