U raportua se humbi jetën nga arresti kardiak, 59-vjeçari në Durrës ndërroi jetë pasi u godit me grushte

18/04/2026 13:22
Foto Ilustruese

Një ngjarje që fillimisht u raportua si vdekje për shkaqe natyrale në Durrës ka marrë një tjetër rrjedhë pas hetimeve të policisë.

Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit nisën verifikimet pas humbjes së papritur të jetës së 59-vjeçarit S,M, për të cilin paraprakisht u dyshua se kishte ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.

Por, hetimet intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë zbuluan se bëhej fjalë për një ngjarje me natyrë kriminale. Sipas policisë, më 13 prill 2026, në lagjen nr. 18 të Durrësit, 42-vjeçari Gentian Kraja është konfliktuar me 59-vjeçarin për motive të dobëta dhe më pas e ka goditur me grushte.

Si pasojë, viktima ka humbur ndjenjat, është rrëzuar në asfalt dhe më pas ka ndërruar jetë nga dëmtimet e marra.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Policia ka vënë në pranga 42-vjeçarin, i cili akuzohet për veprën penale “vrasja nga pakujdesia”.

Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Top Channel