“Kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme për Kosovën”, ministri Hoxha takon homologun serb: Do hapim konsullatë në Bujanoc

18/04/2026 19:59

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me monologun serb, Marko Duriç.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Hoxha shkroi se Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime thelbësisht të ndryshme për Kosovën, ndërsa shtoi se një konsullatë shqiptare do të hapet në Bujanoc.

“Sot, pata një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.

Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal. Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.

Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive. Shqipëria mbetet e përkushtuar të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj, në koherencën e politikës së jashtme, si dhe në forcimin e kontakteve mes njerëzve, duke kultivuar një brez të ri me vizion të qartë evropian.

Gjithashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, si një kontribut thelbësor për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, shkruan Hoxha.

Top Channel