Gjykata Administrative rrëzoi masat disiplinore ndaj deputetëve të PD, reagon Balla: Lajthitje, ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit

18/04/2026 11:21

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për shqyrtimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Balla thotë se “bllokimi i punimeve të Kuvendit nuk mund të justifikohen dhe se masat disiplinore të marra nga Kuvendi janë në përputhje me rregulloren dhe standardet e funksionimit parlamentar”.

Reagimi i plotë:

Gjykata Administrative (shkalla e parë) paska shqyrtuar dhe madje marrë vendim për masat disiplinore ndaj deputetëve të PD, të cilët si sot katër muaj më parë hodhën flakadanë dhe bllokuan punën e Kuvendit me dhunë. Së pari përgëzime gjyqtarit, apo gjyqtares, që e paska kryer kaq shpejt këtë proces. Uroj të jepen vendimet kaq shpejt edhe për ankesat e qytetarëve të thjeshtë, për halle të vërteta. Sepse të mbarosh një shkallë gjyqësori në Shqipëri për kaq pak ditë qenka një rekord. Por thelbi i çështjes është një lajthitje në objekt për këdo që mund ta ketë dhënë këtë vendim. Ndoshta gjyqtari apo gjyqtarja nuk e di se Gjykata e Lartë e Republikës sonë e ka konsoliduar praktikën në një rast të mëparshëm duke sanksionuar mos kalimin gardhin e gjyqësorit tek fusha  e legjislativit për këto masat disiplinore.

Dihet botërisht se gjykatat nuk kanë juridiksion të gjykojnë këto lloj masash disiplinore, sepse këto janë akte të parlamentit dhe nuk mund t’i nënshtrohen vlerësimit nga pushteti gjyqësor.

Përveç se në rastin kur vetë ligji i posaçëm për statusin e deputetit apo Rregullorja e Kuvendit do ta parashikonte shprehimisht këtë mundësi. As ligji dhe as Rregullorja nuk e përcakton këtë mundësi. Në këto raste vepron parimi i autodichia-s, pra që janë organet e vetë parlamentit që gjykojnë veten dhe askush tjetër. Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm. Ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit.

Në parlamentin italian, për shembull, “procedimi disiplinor ndaj senatorëve dhe deputetëve normohet nga rregulloret e brendshme të secilës dhomë, me qëllim zhvillimin korrekt të punimeve parlamentare dhe dinjitetin e institucionit”. Organi kompetent për gjykim është brenda dhomës përkatëse. Dhe aty mbyllet procedura. Nuk ka Gjykatë ku mund të apelohet. Edhe në çdo parlament tjetër është e njëjta praktikë. Edhe Franca gjithashtu. Gjykatat, qoftë në Francë dhe në Itali (gjykatat e larta administrative në këto vende) kanë përcaktuar se gjykatat nuk mundet të shqyrtojnë këto lloj çështjesh, sepse janë kompetencë ekskluzive e asamblesë apo parlamentit. Tani kush do reagojë, KLGJ, ILD apo shoqatat?!

Top Channel