Victoria Beckham feston ditëlindjen, djali i tij Cruz e uron publikisht: Ti më frymëzon çdo ditë
Policia greke ka arrestuar dy të rinj gjatë pasdites së 14 prillit në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë. Ata dyshohen për lidhje me një grup kriminal të mafias shqiptare.
Bëhet fjalë për një 22-vjeçar të huaj dhe një 19-vjeçar grek, të cilët dyshohet se vepronin me urdhra të një kreu të mafias shqiptare, i cili aktualisht është i burgosur në Malandrino.
Ky i fundit rezulton i përfshirë edhe në vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos në tetor të vitit 2017 dhe sipas kërkimeve të bëra për këtë ngjarje të asaj kohe, rrethanat na çojnë që “bosi” në fjalë të jetë Eno Alexandros Mata.
Të rinjtë, në varësi të këtij të fundit, u ndaluan gjatë një patrullimi rutinë nga efektivët e njësisë DI.AS., pasi u konsideruan të dyshimtë. Gjatë kontrollit, atyre iu gjetën 61 doza kanabisi me peshë totale 89 gramë, të ndara dhe gati për shpërndarje, si dhe 520 euro të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e 22-vjeçarit nga efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, u sekuestruan edhe 92 gramë kanabis, dy peshore elektronike precize, një numër i madh pakosh najloni, si dhe një grusht hekuri dhe një thikë palosëse.
Ndërkohë, i njëjti personazh i botës së krimit (Eno Mata), që dyshohet se drejtonte aktivitetin e të rinjve, rezulton i përfshirë edhe në një rast të rëndë zhvatjeje në Selanik.
Top Channel