Sot protesta e opozitës/ Tubimi do të fillojë përpara Kryeministrisë, cilat janë masat e policisë dhe rrugët që do të bllokohen

17/04/2026 07:10

Opozita mban këtë të premte protestën e radhës kombëtare, me tubimin e demokratëve që do të fillojë përpara Kryeministrisë në orën 19:00.

Me anë të një njoftimi, Policia e Tiranës ka paralajmëruar masat që do të ndërmerren në këtë protestë dhe cilat do të jenë akset rrugore që do të bllokohen.

Njoftimi i policisë:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Top Channel