Plagosi një person në vitin 2023 në bashkëpunim me vëllanë e tij, arrestohet në Shëngjin 22-vjeçari
Transporti urban dhe ndërqytetas do të rikthehet në normalitet, pas një marrëveshjeje mes Shoqatës së Transportit dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Përfaqësuesit e shoqatës bëjnë me dije se pas takimit me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, është rënë dakord për vijimin normal të shërbimit, ndërsa është diskutuar edhe për një subvencion të mundshëm për litër karburant, vlera e të cilit mbetet ende për t’u përcaktuar.
Në mbledhje është rënë dakord për çmimin 50 lekë për litër për tre muaj, e po ashtu do të diskutohen taksat dhe kostot e reja javën tjetër, në takimin e radhës.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por do të jetë në diskutim si vlerë.
Nga sot do të vazhdojë transporti me kapacitet të plotë, se edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet për shkak të asaj që u pa këto dy ditë.
Do të kemi edhe takim tjetër javën që vjen për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akcizë, kategoritë që udhëtojnë falas.“, shprehet shoqata.
Pas mbarimit të mbledhjes, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi, tha se qeveria shqiptare do të subvencionojë transportin publik duke kthyer në normalitet shërbimin e domosdoshëm për qytetarët.
“Tryeza e radhës me përfaqësues të Shoqatave të Transportit Urban dhe Interurban, me fokus mbi situatën e krijuar së fundmi nga rritja e çmimit të karburanteve.
Qeveria Shqiptare do të subvencionojë transportin publik, duke rikthyer në normalitet këtë shërbim të domosdoshëm për qytetarët.
Bashkë për të kapërcyer çdo sfidë.”, thotë ai në një reagim zyrtar.
Top Channel