Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu përplaset me Ballën: Projektligji për shtetësinë është i njëjtë me ‘pasaportat e arta’ që ndaloi BE-ja

15/04/2026 16:51

Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, është përplasur me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë diskutimeve për projektligjin e ri për shtetësinë.

Në fjalën e tij, Balliu deklaroi se kjo nismë është në thelb e njëjtë me skemën e “pasaportave të arta” të ndaluar nga Bashkimi Europian, duke theksuar se ndryshon vetëm forma, por jo përmbajtja.

“Ky projektligj për shtetësinë është i njëjti me pasaportat e arta që janë ndaluar nga BE. Është thjesht i kamufluar me disa justifikime, por në thelb mbetet i njëjtë dhe madje e zgjeron edhe më shumë,” u shpreh Balliu.

Ai kritikoi mungesën e mekanizmave të kontrollit dhe transparencës, duke nënvizuar se projektligji nuk parashikon asnjë detyrim për raportim periodik në Kuvend.

Sipas Balliut, iniciativa të tilla rrezikojnë të krijojnë hapësira për abuzim dhe favorizim të interesave të dyshimta, ndërsa kujtoi edhe një vendim të Gjykata Evropiane të 29 prillit 2025, që ndalon dhënien e shtetësisë në këmbim të investimeve të paracaktuara.

Në përfundim, ai paralajmëroi se vazhdimi në këtë drejtim mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit europian, duke shtuar kushte në raportin e IBAR dhe duke e ngadalësuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Top Channel