Shehaj në Bruksel, futet në restorantin plot me shqiptarë: Largimi juaj, krimi më i madh

15/04/2026 20:03

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë vizitës së tij në Bruksel, pati një takim të rastësishëm në një restorant me disa emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh larg vendlindjes.

Gjatë bisedës, një prej emigrantëve shprehu vlerësim për angazhimin e Agron Shehajt si politikan, duke e konsideruar si një nga deputetët e vetëm që “ka zë të flasë në Parlament” për shqetësimet e qytetarëve.

Gjatë takimit, shqiptarët emigrantë shprehën dëshirën për rikthim në Shqipëri në të ardhmen. Ata nënvizuan se nuk e harrojnë vendin e tyre dhe se duan të kontribuojnë për zhvillimin e tij.

“Na ka marrë malli, 14 vjet pa ardhur në Shqipëri. Mbetëm refugjatë. Pse? Gjynah. Të vijmë të kthehemi në tokën tonë, të bëjmë diçka, pse të rrimë këtu?”, u shpreh njëri prej tyre.

Gjatë takimit, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se largimi i shqiptarëve nga vendi përbën një problem, duke deklaruar se “largimi juaj është krimi më i madh”.

“Largimi i këtyre të rinjve është krimi më i madh që politika ka bërë këto 35 vjet. Ëndrra ime është ta kthejmë Shqipërinë në vendin e mundësive, ku djem të tillë të punojnë e të shkëlqejnë, siç shkëlqejnë kudo ku shkojnë”, tha Shehaj.

Kreu i Mundësia Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri ishin në Bruksel në kuadër të takimeve në PPE, ku kanë theksuar qëndrimin e Partisë Mundësia në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Top Channel