Kuvendi rrëzon nismat për naftën, prezantohet te Komisioni i Ligjeve projektligji për taksat kombëtare

14/04/2026 19:46

Dy nisma u prezantuan në komisionin e ligjeve për të shqyrtuar projektligjin për taksat kombëtare, që synonin uljen e çmimit të karburantit.

Nisma e prezantuar nga deputeti demokrat Eno Bozdo, kërkonte reduktimin e taksës së qarkullimit nga 27 lekë për litër në 7 lekë për litër.

“Taksa që propozohet për t’u reduktuar është një taksë që shqiptarët e paguajnë dy herë duke filluar që nga viti 2013, quhet taksë qarkullimi por paguhet në të njëjtën kohë edhe te furnizimi tek pompa e karburantit por edhe te kolaudimi i makinës. Të gjitha këto para që janë marrë nga qeveria këtë muaj që kur ka kërcyer çmimi prej konfliktit, nuk jepen si formë subvencionimi për industrinë as për ekonominë familjare. Ajo që ne kërkojmë është të ndërmarrim një masë për të stabilizuar çmimin e naftës”, tha deputeti demokrat.

“Nuk biem dakord si mazhorancë me nismën. Ne kemi zgjedhur si model që taksën e qarkullimit dhe karbonit ta inkludojmë tek çmimi i naftës dhe po ta bëni krahasimin me Kosovën dhe me Maqedoninë, ndaras këto dy taksa, çmimi i naftës me Kosovën dhe Maqedoninë në Shqipëri, nuk ka asnjë ndryshim. Por kjo është çështje zgjedhjeje e jona si forcë qeverisëse e këtij vendi”, u shpreh Ulsi Manja.

Nisma e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, kërkonte pezullimin e dy taksave, asaj të qarkullimit dhe taksës së karbonit.

Tedi Blushi: Sot e keni çuar 224 lekë çmimin e një litri naftë në pikat me pakicë. Çdo shqiptar paguan pothuajse dyfishin e taksave për karburant krahasuar me të gjitha vendet fqinje. E ftoj komisionin mos të vijë era naftë por erë përgjegjshmëri publike.

Ulsi Manja: Nisma cila është?

Tedi Blushi: Kërkojmë pezullimin e dy taksave, taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.

Ulsi Manja: Kur ju të votoheni me votat e shqiptarëve, hiqeni nga nafta edhe taksën e qarkullimit edhe taksën e karbonit, ndani taksat më vete. Kjo është çështje shumë e thjeshtë.

Të dyja nismat nuk arritën dot të marrin votat e shumicës, duke u rrëzuar në parim. Tani fjalën e fundit e ka komisioni i ekonomisë dhe financave.

Top Channel